Dita e djeshme bëri bashkë në një tryezë diskutimi përfaqësues nga institucionet publike, deputetë, institucionet e pavarura, profesionistë dhe ekspert të fushës së shëndetit, organizata të shoqërisë civile dhe media, gjatë së cilës Together for Life prezantoi raportin me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga NED – National Endowement for Democracy.

Gjetjet thelbësore të raportit hedhin dritë mbi çështjet problematike të lidhura me keqplanifikimin, paqëndrueshmërinë e të ardhurave dhe mungesën e transparencës së Fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, duke vënë në dukje një hendek në arritjen e mbulimit universal të nevojave shëndetësore për të gjitha kategoritë e popullsisë dhe duke theksuar nevojën për përmirësimin e efikasitetit në përdorimin e fondeve.

Në fjalën e saj, Drejtoresha Ekzekutive – Znj. Eglantina Bardhi, theksoi se sektori i shëndetësisë vijon të mbetet problematik sa i takon aspektit të financimit të pamjaftueshëm dhe është me rëndësi që rekomandimet e dala të dëgjohen dhe të adresohen nga institucionet përkatëse.

Përfaqësuesi nga Rrjeti i Koordinatorëve kundër Antikorrupsionit Z. Fatjon Çajupi, në fjalën e tij ju bashkua misionit të përbashkët për garantimin e praktikave transparente dhe nxitjen e llogaridhënies përmes paraqitjes së rekomandimeve pranë institucioneve, si edhe theksoi masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese mbi pasojat e korrupsionit/parregullsive. Disa reforma të marra në institucionet e kujdesit shëndetësor që kanë si synim kontrollin dhe garantimin e një shërbimi cilësor sa më afër pacientit, siç janë fuqizimi i strukturave të Operatorit të KSH dhe ASCK, u përmendën nga përfaqësuesja e FSDKSH, Znj. Marsida Mulaj – Drejtore e KSHP. Nga ana tjetër, prania e Kryeauditueses nga KLSH Znj. Selime Bregu, theksoi rëndësinë e kontrollit financiar dhe vuri në pah problematikat alarmante të konstatuara nga kontratat koncensionare në sektorin e shëndetësisë, mosrinovimit të listës së barnave, fakte të cilat dëshmojnë për një dështim të konceptit “Shëndet për të gjithë”.

Kryetarja Znj. Zheni Gjergji dhe Deputeti Z. Petrit Vasili nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, parashtruan problematikat e vazhdueshme lidhur me buxhetin e ulët për kujdesin shëndetësor, duke theksuar keqplanifikimin buxhetor dhe paqartësitë lidhur me ligjin e ri të autonomisë spitalore. Ata u ndalën edhe tek nismat e mundshme legjislative për përmirësimin e sistemit. Pjesëmarrja e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojten e të Dhënave Personale përmes Znj. Emerlinda Pema – Drejtore e Monitorimit të Transparencës, nënvizoi rëndësinë e të shkuarit përtej detyrimeve ligjore për të siguruar transparencë proaktive.

Të pranishëm në tryezë ishin po ashtu Z.Vasil Seko nga Shërbimi Social Shtetëror; Znj. Valbona Bara, Specialiste e Sektorit të Performancës pranë ASCK; Znj. Entela Barjamaj Gazetare pranë Top Channel; Znj. Aleksandra Bogani Gazetare pranë BIRN Albania, Znj. Brunilda Menalla nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, OSHC dhe profesionistë të shëndetësisë të cilët thanë fjalën e tyre dhe ju bashkuan diskutimit ndërveprues duke ndarë rekomandimet.

Tryeza të tilla, shërbejnë si një platformë e rëndësishme për diskutime konstruktive dhe formulimin e strategjive me ndikim për avancimin e sistemit të kujdesit shëndetësor. Diskutimi gjeneroi propozime mbi reformimin tërësor të skemës së financimit të spitaleve publike duke u mbështetur në modelin e buxhetimit mbi bazë performance dhe cilësie shërbimi.

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në link-un: Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf (togetherforlife.org.al)