Takimi i radhës konsultues, ai midis aktivistëve të shkollës së mesme “Nënë Tereza” dhe Kryetarit të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau i Dejës – Z. Ervis Shimaj, shënoi një mundësi të rëndësishme për të rinjtë për të shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me përfshirjen në procesin e vendimmarrjes, sfidat që i pengojnë dhe perspektivat bazuar mbi pikat e forta të Bashkisë Vau i Dejës në termat e mirë-qeverisjes.

Ndër arritjet më të mëdha të takimeve të tilla ku përfshihen të rinjtë, është edukimi mbi njohjen e të drejtave të tyre si qytetarë, mbi të drejtën e informimit për marrjen e informacionit mbi vendimet që prekin direkt të rinjtë dhe formave të ngritjes së zërit tek vendimmarrësit mbi problematikat shqetësuese prioritare. Nga ana tjetër, ju shërben edhe për nxitjen e reflektimit mbi të menduarit “jashtë kutisë”, jo vetëm në rolin e nxënësit por edhe në rolin e tyre si pjesëtarë dhe qytetarë të komunitet ku jetojnë.

Gjatë diskutimit ndërveprues me Kryetarin, u mundësua shkëmbimi i informacionit, ku të rinjtë e pranishëm u shprehën mbi çështje kryesore që i shqetësojnë dhe pyetje që lidhen me mënyrën e funksionimit të procesit vendimmarrës, duke theksuar:

  • Nevojën për një mjedis ku nxënësit të kryejnë efektivisht orën e edukimit fizik gjatë orarit mësimor;
  • Nevojën për shfrytëzimin e mjediseve publike për të ndërtuar hapësira rekreative për të angazhuar dhe aktivizuar të rinjtë, pasi shumica e të rinjve ndihen “të izoluar” dhe kjo ndikon edhe në anën e tyre kreative dhe nxit dëshirën për t’u larguar nga vendi drejt mundësive më të mira;
  • Mungesa e transportit publik, nga ana tjetër thellon këtë problematikë të mospërfshirjes së të rinjve në jetën sociale;
  • Mungesën e edukimit mbi aktivizimin në konsultime/vendimmarrje dhe mbi burimin ku duhet të drejtohen për paraqitjen e ankesave/propozimeve të tyre;

Bazuar mbi kërkesat e parashtruara, Kryetari i Këshillit Z. Shimaj, informoi të rinjtë mbi funksionimit e procesit vendimmarrës, kapacitetet që Bashkia ka dhe përpjekjet për përmirësimin e qeverisjes dhe përgjigjshmërisë ndaj kërkesave të qytetarëve. Kërkesa e drejtuar nga Bashkia për alokimin e fondit për rikonstruktimin e shkollës tashmë është miratuar zyrtarisht dhe së shpejti zona e Bushatit do të ketë një shkollë të re që plotëson të gjitha standartet, përfshirë edhe një palestër të përshtatshme. Nga ana tjetër, u shkërmbye informacioni se ndër planet e Bashkisë dhe mbi të cilën janë dërguar kërkesa, është edhe ndërtimi i hapësirave të reja publike për komunitetin dhe veçanërisht të rinjtë. Një Qendër Kulturore, është planifikuar për t’u ndërtuar në Vaun e Dejës. Gjithashtu, të rinjtë u informuan lidhur me mundësinë e drejtimit tek struktura e Këshillit Rinor, si entiteti përfaqësues i nevojave të tyre.

Në përmbyllje, Kryetari theksoi që nxënësit dhe aktivistët e rinj, me energjinë dhe pasionin e duhur për t’u edukuar, angazhuar në vendimmarrje, mund të jenë përbëjnë burime të çmuara për të ndryshuar gjërat për të mirën e komunitetit të tyre. Për të siguruar përfshirjen e suksesshme të të rinjve në procesin e vendimmarrjes, është e rëndësishme të sigurohet aksesi në informacion, përkrahje e mjaftueshme, si edhe përfaqësimi i duhur në të gjitha nivelet e procesit të vendimmarrjes.

Ky takim u zhvillua në vijim të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokracinë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.