Në bashkëpunim me Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë, zhvilluam sesionin informues mbi dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje, ku morën pjesë vajza, gra, djem dhe burra nga komunitetet vulnerabël, kryesisht nga familje problematika social-ekonomike, komuniteti Rom dhe Egjiptian, prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si edhe të rinj aktivistë.
Gjatë takimit, u diskutuan dhe analizuan disa nga format e dhunës të dukshme dhe ato të fshehura, si dhe faktorët që kontribuojnë në përhapjen e dhunës me bazë gjinore në komunitet, ndërsa u informuan mbi shërbimet që ofron Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Një rëndësi e veçantë, ju dha edhe faktorëve që ndikojnë tek mosraportimi ose moszgjidhja e problemit. Mentaliteti i komunitetit, forca e opinionit apo kultura e të pranuarit të dhunës ose formave “të lehta” të saj, u cilësuan si ndër faktorët kyç favorizues. “Ne jetojmë në një shoqëri ku parësor nuk është individi, por nderi i familjes. Familja shpeshherë kërkon që gruaja të durojë dhunën, vetëm për hir të të mos të qënit e divorcuar apo të mos përfolurit mbi faktin që “ja lanë vajzën” – u shpreh një ndër të pranishmit.
Nga ana tjetër, disa prej të pranishmëve theksuan se edhe në rastet kur arrihet të identifikohet dhuna dhe të raportohet dhunuesi, sërish zgjidhja mbetet tek largimi i viktimës dhe “mbyllja e çështjes” brenda familjes, ndërkohë që për dhunuesin nuk merret asnjë masë. Në këtë kuadër, pjesëmarrësit diskutuan mbi forcimin e koordinimit të institucioneve vendore, qendrave që ofrojnë shërbime dhe OSCH-ve në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Ky aktivitet, u zhvillua në zbatim të programit “Fuqizojmë Komunitetin (ICR)”, financuar nga USAID dhe zbatuar nga UNDP, në partneritet me Bashkinë Kurbin dhe Bashkinë Lezhë dhe Shoqatën Together for Life.