Shoqata Together for Life po zbaton projektin ‘Riintegrimi i të kthyerve duke rritur aksesin në kujdesin shëndetësor dhe përmirësuar shëndetin e tyre’ në rajonet e Elbasanit dhe të Lezhës. Qëllimi i projektit është lehtësimi i procesit të riintegrimit të të kthyerve, duke përmirësuar aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor bazë me fokus në pacientët kronikë. Shërbimet e ofruara nga TFL në kuadër të projektit mbështeten nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, pjesë e Programit ‘Kthimi në Mundësitë e Reja’ të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ).
Një element i rëndësishëm i projektit që po zbatohet nga TFL është rritja e kapaciteteve të ofruesve të shërbimit shëndetësor dhe shërbimeve të punësimit për të adresuar barrierat në shërbimet e kujdesit shëndetësor me të cilat hasen të rikthyerit.
24 mjekë të sistemit parësor dhe punonjës së sportelit të emigracionit në Elbasan dhe në Lezhë ndoqën trajnimin një-ditor ‘Roli i mjekut të familjes në menaxhimin e rasteve të emigrantëve të kthyer’ – respektivisht në datat 2 qershor në Elbasan dhe 4 qershor në Lezhë – rreth rrugëve dhe mjeteve efikase për mbështetjen e të kthyerve me shërbime shëndetësore.
Trajnimi synonte rritjen e njohurive, aftësive dhe kapaciteteve të sistemit parësor, si hallka e parë e sistemit shëndetësor në të cilin drejtohen të kthyerit me probleme shëndetësore për të marrë shërbime. Pjesëmarrësit në trajnim u informuan rreth problematikës shëndetësore të të rikthyerve dhe nevojave së tyre për mbështetje të vazhdueshme.
Në bashkëpunim me mjekët e sistemit parësor në dy zonat e përzgjedhura po punohet për identifikimin e të kthyerve me sëmundje kronike, të cilëve u ofrohet mbështetje e drejtë për drejtë për marrjen e shërbimeve shëndetësore në kohë dhe me cilësi, sipas protokolleve përkatëse.
Riintegrimi i qëndrueshëm i të kthyerve është një proces i ndërlikuar që përfshin ofrimin e mbështetjes për ta, duke filluar nga ndihma emergjente në momentin e arritjes, qasjen në shërbimet publike si dhe ofrimin e shërbime të specializuara.