Korça, një ndër qytetet më tërheqëse juglindore si në aspektin e natyrës, ashtu edhe atë të kulturës dhe vlerave historike që mbart. Ajo vizitohet nga mijëra turistë në çdo stinë të vitit, duke u shquar për vizitorët e shumtë sidomos gjatë stinës së dimrit. Përtej lakimit për vlerat, shpeshherë e kemi hasur të lidhur emrin e këtij qyteti të rrethuar nga male e kodra, edhe me ndotjen e ajrit. Prej vitesh Korça vuan disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri lidhur me ndotjen e ajrit për shkak të vlerave të larta të pranisë së ndotësve, që tejkalojnë limitet e vendosura nga BE dhe OBSH.

Burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Korçë lidhen me ngrohjen e shtëpive, trafikun dhe aktivitetet industriale. Gjatë muajve të dimrit, për shkak të të mos paturit të alternativave të tjera të ngrohjes, bën që shumë banorë të Korçës të mbështeten në djegien e drurit dhe qymyrit për ngrohje, aktivitet që çliron ndotës të dëmshëm në ajër gjatë gjithë periudhës së gjatë të dimrit. Emetimet e trafikut nga automjetet në rrugët e qytetit gjithashtu kontribuojnë në ndotjen e ajrit, siç po ashtu bëjnë edhe emetimet nga industritë.

Tirana kryeson listën e qytetit përsa i përket ndotjes së ajrit në Shqipëri, duke tejkaluar kufijtë e BE deri në dy herë, por qyteti i dytë më i ndotur çuditërisht është Korça. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga burimet zyrtare të Agjensisë Kombëtare të Mjedisit në Janar 2023, në stacionin e Korçës është vënë re një tejkalim i vlerës limite në masën 107 % ku vlera mujore e monitoruar është 51.85 µg/m³ nga 25 µg/m³ që është vlera limit vjetore sipas BE. Gjithashtu, vlera mesatare ditore e PM10 prej 50 µg/m³ për muajin Janar 2023 nga 31 ditë të monitoruara është tejkaluar në 13 ditë mbi normën e lejuar të BE-së nga ku norma e lejuar e tejkalimit është jo më shumë se 35 herë gjatë një viti.[1] .

Megjithatë, krijohet një paqartësi pasi në website-in zyrtar të AKM nuk rezulton të jetë publikuar dhe ndarë me publikun Regjistri vjetor i Gjendjes Mjedisore 2022, ku këto të dhëna të jenë pasqyruar. Raporti i fundit që rezulton është ai i vitit 2021, ku është cilësuar se monitorimi i cilësisë së ajrit urban është realizuar në periudhën e verës në qytetet: Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Berat, Lezhë dhe Vlorë për treguesit kryesorë të ndotjes si: PM10, NO2, SO2, O3, CO. Ndërkaq nuk kemi të dhëna për PM 2.5, ndërsa për PM10 matjet janë kryer vetëm në Vlorë, Berat dhe Lezhë. Për Korçën, të dhëna jo të plota dhe jo të përshkruara paraqiten vetëm për parametrin O3.[2] As në atë të vitit 2020, të dhënat për Korçën nuk rezultojnë të përshkruara për të gjitha parametrat.[3]

E pyetur më parë lidhur me problematikat apo pengesat që ndikojnë institucionin në realizimin e matjeve të parashikuara në kohë, cilëson se: “Problematika kryesore është mirëmbajtia e stacioneve të ajrit. Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje vjetore, e cila për shkak të procedurave dhe buxhetit të limituar, ka pasur raste që nuk është kryer e plotë”.

Lidhur me masat që janë ndërmarrë konkretisht nga AKM, komunikimi që jepet është “AKM ka si detyrë dhënien e rekomandimeve për marjen e masave nga pushteti lokal. AKM rekomandon pushtetin lokal për marrjen e masave”, ndërkohë që nuk kemi një përgjigje mbi masat konkrete që janë rekomanduar specifikisht.

Në mungesë të matjeve të vazhdueshme dhe të plota dhe pasqyrimit të të dhënave po ashtu të plota për marrrjen e masave në kohë, kanë patur një rol pozitiv organizatat e shoqërisë civile të cilat përmes projekteve kanë kryer matje alternative me synim adresimin e problematikave, rezultatet e të cilave shpeshherë vlerësohen me rezervë nga ana e institucioneve.

Projekti “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” në kuadër të Green-AL i zbatuar në partneritet nga Mileukontakt Shqipëri, Together for Life, GO2 dhe Qendra EPER në vijim të “Green-AL”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli ka mundësuar matje alternative gjatë muajit Gusht 2022 në 150 pika/stacione monitorimi në Korçë për parametrat PM10, PM2.5, NO2 dhe CO2. Proçesi i monitorimit në Korçë është realizuar nga nga Qendra EPER. Matjet janë mundësuar në kohë reale edhe përmes 2 pajisjeve IQAir të instaluara në 2 stacione në qytetin e Korçës. Vlerat e indeksit të cilësisë së ajrit dhe grimcave të imëta të pluhurit PM2.5 kanë rezultuar disa here mbi normat e lejuara, duke arritur vlerat mbi trefish më të larta.

Duke ju rikthyer burimeve të ndotjes së ajrit që parashtruam në fillim, mund të ndalemi tek një ndër problematikat shkaktare që ekziston pothuajse në të gjithë Shqipërinë, që është trafiku i rënduar dhe cilësia e dobët e karburanteve që shkarkojnë gazra të dëmshëm dhe të rrezikshëm në ajër. Nga ana tjetër, vërehet se numri i makinave në Korçë është rritur me 3125 mjete në 2022-in, sipas DPSHTRR.[4]

Në bazë të të dhënave të arritura, përgjithësisht vlerat mesatare për periudhën e verës fatmirësisht janë brenda normave duke marrë paraysh si faktor ndihmues ekzistencën e gjelbërimit në pikat e matura, megjithatë ka rezultuar se në zona të caktuara përqëndrimi i grimcave të pluhurit PM10 ka arritur deri në 90 μg/m3 dhe ajo e grimcave PM2.5 deri në 62 μg/m3, që tejkalojnë standartet e BE dhe OBSH (40 μg/m3 – PM10 dhe 25 μg/m3 – PM2.5). Shkarkimet e automjeteve me naftë (kamionet, mikrobuzët, veturat) dhe insfrastruktura e dëmtuar e rrugëve urbane janë përgjegjësit kryesorë për shumicën e sasisë së PM10 dhe PM2.5 në ajër në këto zona. Lidhur me vlerat e CO2 është vënë re se rezultatet tregojnë vlera mesatare përgjithësisht brenda standarteve. Ndërkohë, në shumë prej zonave të matura, është vërejtur një dallim i parametrit NO2 nga parametrat e tjerë, duke paraqitur një tejkalim mbi dy herë të normave të lejuara të parametrit (84 μg/m3 nga 40 μg/m3), kjo si pasojë e trafikut të rënduar të automjeteve në oraret e pikut. NO2 është i lidhur me efekte të padëshiruara në shëndet, pasi mund të dëmtojë mëlçinë, mushkëritë, shpretkën dhe funksionin e qarkullimit të gjakut.[5]

Nëse ndalemi tek efektet në shëndet bazuar mbi nivelin e ekspozimit, efektet afatshkurtra të ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit, të cilat janë të përkohshme, përfshijnë sëmundje të tilla si pneumonia ose bronkiti, apo acarimi i hundës, fytit, syve ose lëkurës. Ndërkohë që nivelet e larta të ndotjes së ajrit në zona të banuara dhe ekspozimi i gjatë kanë pasoja të rënda shëndetësore, veçanërisht për kategoritë vulnerabël si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje respiratore ose kardiovaskulare kronike. Ekspozimi afatgjatë mund të rrisë rrezikun e kancerit të mushkërive, goditjes në tru dhe sëmundjeve të zemrës, ndër problemet e tjera shëndetësore.

Ndotja atmosferike në periudha afatgjata i shkurton mesatarisht 2 vjet jetë çdo banori të tokës, duke e bërë rriskun më të madh global ndaj shëndetit njerëzor, sipas një studimi nga Universiteti i Chicagos bazuar në statistikat e matjes së cilësisë së Ajrit, Air Quality Life Index. Pasojat e saj mbi jetën e njeriut janë në vend të parë për shkallën e dëmeve, në matje me vitet e jetës. Ndiqet nga duhani, që heq mesatarisht 1.6 vjet jetë, dhe alkooli e droga që shkurtojnë jetën me 11 muaj.[6]

Në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kanë humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë. Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 % të totalit të vdekjeve në vitin 2019.[7]

Edhe sipas institucioneve shëndetësore në vend, pasojat negative në shëndet janë të dukshme sidomos tek kategoritë më të ndjeshme. Ajri i ndotur shkakton një sërë problemesh shëndetësore për popullatën të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, respiratore por edhe kancerogjene. Instituti i Shëndetit Publik në përgjigje të kërkesës për informacion nuk ka vënë në dispozicion asnjë të dhënë specifike lidhur me nivelin e ndotjes së ajrit dhe se si ndikon në shëndet, përveçse disa të dhënave evasive.

Sipas të dhënave të siguruara nga NJVKSH Korçë, përsa i përket ndikimit të ajrit të ndotur në shëndet nga të dhënat e vitit 2020, sëmundjet e lidhura me faktorët e ndotjes janë ato kardiovaskulare, pulmonare, SNQ, CA (kancer). Sipas të dhënave të 9 muajve të parë të vitit 2022: numri i pacientëve me sëmundje kardiake janë 4606, numri i pacientëve me sëmundje të astmës janë 907, numri i pacientëve me sëmundje pulmonare janë 857. Nuk ka të dhëna të disponueshme për pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit, pasi nuk ka mamografi të lëvizshme.

Përsa i përket masave që duhet të merren, sfida kryesore që pasqyrohet në Bashkinë e Korcës lidhet me adaptimin dhe zbatimin e planit të veprimit në nivel vendor. Mungesa e këtij plani në nivel qëndror, bën që ky adaptim të mungojë edhe në Bashkinë Korçës.

Qeveria shqiptare duket se deri diku është e ndërgjegjësuar lidhur me seriozitetin e ndotjes së ajrit dhe është përpjekur të marrë disa masa për ta adresuar atë, përmes promovimit të fushatave për ndërgjegjësim publik për rreziqet e lidhura me ndotjen e ajrit dhe kanë promovuar përdorimin e alternativave më “të pastra” të ngrohjes si gazi apo ngrohja elektrike. “Përmirësimi i cilësisë së ajrit përbën një tjetër prioritet mjedisor të Qeverisë. Gjatë këtij mandati do të instalojmë pajisje monitorimi të ndotësve të ajrit në 12 qytetet kryesore në vend.” thuhet në programin qeverisës 2017-2021. Pavarësisht se siç e përmendëm më lart, ky proces nuk ka funksionuar më së miri nga institucionet përgjegjëse për arsyet specifike. Nga ana tjetër, nuk ka plane veprimi apo strategji të mirëmenduara dhe zbatuara. Strategjia Kombëtare e Cilësisë së Ajrit, e miratuar në vitin 2014 edhe pse vazhdon të jetë dokumenti kryesor legjitim për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, nuk është zbatuar në pothuajse asnjë nga sektorët përkatës.

Edhe sipas progres raportit të KE për Shqipërinë (2022) në kapitullin e mjedisit, në një ndër rekomandimet e cituara thekson: “Nevojiten më shumë përpjekje për cilësinë e ajrit dhe për të përmirësuar sistemin e monitorimit. Zbatimi i strategjisë kombëtare të cilësisë së ajrit 2014 ende është në pritje dhe Plani kombëtar mbi menaxhimin e cilësisë së ajrit 2019 nuk parashtron një system funksional monitorimi”.[8]

Është e nevojshme për të adresuar shkaqet rrënjësore të ndotjes së ajrit në Korçë dhe të bashkërendohet marrja e masave konkrete në kohë. Qeveria duhet të ndërmarrë veprime më vendimtare për të monitoruar dhe reduktuar emetimet nga transporti dhe industria, të tilla si vendosja e rregulloreve më të rrepta, menaxhimi i rrjetit rrugor dhe trafikut, kontrolli i cilësisë së karburanteve, zbatimi i politikave dhe masave reduktuese lidhur me mjetet e dëmshme të ngrohjes, dhe stimulime për kompanitë që të kalojnë në teknologji më të pastra.

Gjithashtu, rritja e ndërgjegjësimit të publikut për rreziqet shëndetësore që lidhen me ndotjen e ajrit dhe nxitja e ndryshimeve të sjelljes, si reduktimi i përdorimit të makinave dhe shmangia e djegies së lëndëve djegëse të ngurta për ngrohje, mund të ndihmojë gjithashtu në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Korçë. Për më tepër, qeveria mund të ofrojë subvencione ose ndihmë financiare edhe për banorët.

Për më tepër, është e rëndësishme përfshirja e komunitetit lokal në adresimin e çështjes së ndotjes së ajrit. Nismat e bazuara në komunitet, të tilla si promovimi i transportit publik apo formave të tjera më ekologjike të transportit brenda mundësive që ofron qyteti i Korçës, apo nismat ndërgjegjësuese mbi pasojat në shëndet nga komuniteti për komunitetin, mund të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në arritjen e rezultatit të përmirësimit të cilësisë së ajrit në Korçë.

“Ndotja e ajrit sidomos në periudhën e dimrit për shkak të blozës së lëshuar nga oxhaqet e shtëpive dhe jo vetëm, ka qënë gjithmonë problematike në qytetin e Korçës. Do jetë një problem i vazhdueshëm për sa kohë të kemi një dimër të gjatë dhe të ftohtë. Problem ka qënë edhe prerja e pyjeve. OJF-të lokale janë angazhuar në nisma dhe projekte që kanë synuar sensibilizimin e qytetarëve dhe institucioneve vendimmarrëse lokale. Si shoqëri civile, e kemi ngritur zërin dhe kemi zhvilluar sesione informimi lidhur me eko-mjedisin në bashkëpunim me organizata partnere dhe donatorë, për t’i dhënë më tepër shtysë Bashkisë. Bashkia ka nënshkruar kontratën për nismën e gazifikimit të Korçës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ngrohjen. Uroj që në një të ardhme të afërt lënda kryesore e ngrohjes të jetë gazi.” – shprehet Xhensila Mirashi, gazetare dhe aktiviste e shoqërisë civile.

Bashkia duket se ka ndërmarë hapa pozitivë në këtë drejtim, pasi së fundmi në faqen zyrtare të Kryetarit të Bashkisë Korçë është promovuar nisma e gazifikimit, duke e cilësuar si një ndër projektet më të mëdha për Korçën lidhur me zgjidhjen e problemit të ngrohjes. Në faqen e tij zyrtare në Facebook, ai shprehet: “Jam i lumtur që ky projekt shumë i rëndësishëm dhe i shumëpritur për Korçën po ecën me hapa kaq të shpejtë duke e zgjidhur përfundimisht problemin e ngrohjes për banorët dhe duke sjellë mundësi të shkëlqyera për industrinë, investitorët, punësimin dhe mbrojtjen e pyjeve”

Si përfundim, problemi i ndotjes së ajrit në Korçë kërkon një përpjekje të bashkërenduar si nga qeveria ashtu edhe nga komunitetet lokale për t’u trajtuar. Me një qasje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, është e mundur të përmirësohet cilësia e ajrit dhe të mbrohet shëndeti dhe mirëqenia e banorëve të qytetit të Korçës.

 

Referencat: 

[1] Faqja zyrtare e Facebook, Agjensia Kombëtare e Mjedisit: Agjencia Kombëtare e Mjedisit | Facebook

[2] Raporti Për Gjëndjen e Mjedisit 2021 – Agjencia Kombetare e Mjedisit (akm.gov.al)

[3] Raporti Për Gjëndjen e Mjedisit 2020 – Agjencia Kombetare e Mjedisit (akm.gov.al)

[4] Sipas DPSHTRR në Korçë numri i mjeteve në Qershor 2021 ishte 35.422 mjete, ndërsa në Qershor 2022 ishte 38.547 mjete. https://datastudio.google.com/u/0/reporting/88a5d7ed-d04e-42ae-8a3a-ff859bb0e965/page/RX1xB

[5]Raporti i cilësisë së ajrit urban, Bashkia Korçë (Qendra EPER, Korçë)

[6] Air pollution reduces global life expectancy by nearly two years | University of Chicago News (uchicago.edu)

[7] Raporti i kostove që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve, Banka Botërore 2019

[8] Albania Report 2022.pdf (europa.eu)