Transparenca është një nga parimet bazë të ligjit për prokurimet publike në Shqipëri. Për rrjedhojë, ofrimi i informacionit për përdorimin e parave publike në shëndetësi duhet të jetë tashmë një praktikë e konsoliduar dhe treguese e funksionimit të ligjit në Shqipëri, dhe jo të arrijë në kushtet e betejave ligjore.
Shoqata “Together for Life” përgjatë këtij viti ka kryer monitorimin e procedurave të prokurimit publik në tre spitale universitare, ndërsa ka kërkuar informacion për tre kontrata prokurimi. Komunikimi shkresor zyrtar filloi në janar të vitit 2020 dhe vijoi deri në qershor 2020 për të bërë të mundur marrjen e informacionit. Nga kërkesat për informacion rezulton se:
- Në asnjë rast nga ana e institucioneve publike nuk është dërguar informacioni i plotë pa ndërhyrjen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit (KDI).
- Edhe me ndërhyrjen e Komisionerit, janë bërë shkresa të njëpasnjëshme arsyetuese për të marrë informacionin e kërkuar.
- Në rastin e Spitalit Universitar të Traumës dhe Ministrisë së Brendshme, shoqata “Together for Life” është detyruar ta ndjekë çështjen deri në gjykatë. (Në nëntor Gjykata urdhëroi këto institucione t’i sigurojnë shoqatës kontratën publike midis Autoritetit Kontraktues dhe Operatorit Ekonomik fitues).
- Institucionet nuk janë transparente në dhënien e informacionit. Ligji për të Drejtën e Informimit, neni 17, dhe shtojca 4 e Dokumenteve Standarde të Tenderit (DST) keqpërdoren për të penguar dhënien e informacionit.
- Institucionet janë veçanërisht të mbyllura për të shpjeguar lidhur me arsyet për përzgjedhjen e operatorëve fitues.
Ndërkohë, nga monitorimi i dokumentacionit të këtyre kontratave rezulton se:
- Në të gjitha rastet ka pasur mungesë konkurrueshmërie.
- Në të gjitha rastet ka fituar oferta më e lartë
Bazuar në këto rezultate, shoqata “Together for Life” i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve përgjegjëse lidhur me nevojën e rritjes së transparencës së institucioneve për përdorimin e fondeve publike. Mungesa e transparencës rrit mosbesimin e qytetarëve në institucione dhe qeveri, si dhe ul nivelin e demokracisë.
*Ky monitorim u krye në kuadër të projektit rajonal të antikorrupsionit “Për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në adresimin e korrupsionit nëpërmjet monitorimit të procedurave të prokurimit publik në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë”, të mbështetur nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Kontratat e monitoruara janë:
- Spitali Universitar i Traumës (Ministria e Brendshme) – Kontrata për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit
- Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – Kontrata për mirëmbajtjen e sistem-monitorimit të pacientëve
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” – Kontrata për blerjen e materialeve radiologjike për nevojat spitalore