Gjykata e Tiranës vendosi më dt. 21 maj 2018 t’i japë të drejtë një punëmarrëseje e cila kishte paditur kompaninë Call Center ku punonte për heqje pa të drejtë nga puna, duke vendosur edhe dhënien e dëmshpërblimit.

Punëmarrësja F.D., e përfaqësuar në gjykatë nga avokati Gridi Shehu, u largua vitin e kaluar nga puna në shkelje të Kodit të Punës. Fillimisht ajo iu drejtua shoqatës “Together for Life”, e cila i erdhi në ndihmë me konsulencë e më tej duke e ndihmuar në dërgimin e çështjes në gjyq.

Punëmarrësja ka kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë së zgjidhjes së Kontratës së Punës, si dhe detyrimin e punëdhënësit për dhënien e dëmshpërblimit. Shkeljet kishin të bënin me mosrespektimin e afateve të njoftimit për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës, mosnjohjen e kohës së pushimit të paguar etj.

Pas rreth një viti largimi nga puna, gjykata vendosi t’i jepte të drejtë punëmarrëses dhe të vendoste edhe dëmshpërblimin e saj.

Gjatë gjykimit, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë Call Center si shkak largimi pretenduan se punëmarrësja ka shkelur Rregulloren e Brendshme si dhe Kontratën e Punës. Këto pretendime të kompanisë nuk u provuan gjatë procesit gjyqësor, për rrjedhojë, gjykata pranoi pjesërisht Kërkesë Padinë, duke vendosur detyrimin e palës së paditur,  kompanisë Call Center, për dëmshpërblimin e barabartë me pagën e 9 (nëntë) muajve punë, për mosrespektim të procedurës dhe kritereve ligjore në Kodin e Punës, gjatë zgjidhjes së kontratës së punës.

Shoqata “Together for Life” po zbaton Projektin “Mobilizimi social për të drejtat e punës”, mbështetur financiarisht nga  Olof Palme International Center. Në këtë projekt parashikohen aktivitete që kanë për qëllim promovimin e lëvizjeve për të drejtën e punës në sektorin Call Center dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këto të drejta, vendosjen e dialogut mes punëmarrësve, punëdhënësve dhe autoriteteve shtetërore, si dhe avokimin tek vendimmarrësit dhe institucionet ekzekutive publike për përmirësimin e standardeve të punës në kompanitë Call Center.