Pas gjashtë vitesh punë avokuese të shoqatës “Together for Life” (TFL), Shërbimi i Fekondimit in Vitro do të financohet në spitalet publike.
Në vitin 2017, TFL identifikoi dhe ngriti për herë të parë shqetësimin për mungesën e mbështetjes për çiftet që përballen me infertilitetin në Shqipëri. TFL kërkoi dhe analizoi fakte dhe të dhëna që treguan se në vitin 2012, një projekt me vlerë prej 25.000.000 lekësh ishte nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian për të realizuar procedurën e Fekondimit in Vitro në strukturat shtetërore.
Përmes këtij projekti, specialistë të fushës së obstetrikës-gjinekologjisë dhe embriologjisë u dërguan për trajnim në Itali. Qëllimi ishte që qytetarët që paguanin sigurimet shëndetësore të përfitonin falas nga kjo metodë e riprodhimit të asistuar, ndërsa kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e pacientëve të përfitonin në bazë të prioriteteve të vendosura nga institucionet shëndetësore dhe ekspertët.
Pavarësisht kësaj, Qendra e planifikuar për të realizuar këtë projekt mbeti e mbyllur për shkaqe të cilat nuk janë investiguar asnjëherë, ndërsa mjekët e trajnuar nisën punë privatisht! TFL nisi një fushatë mediatike për të theksuar se shumë persona dhe çifte në Shqipëri që vuajnë nga infertiliteti u privohet e drejta për të pasur fëmijë përmes metodave të riprodhimit të asistuar. Procesi i diagnostikimit dhe trajtimit të infertilitetit është i kushtueshëm, dhe vetëm një procedurë e Fekondimit in Vitro (FIV) kushton mesatarisht 4000 Euro. Autoritetet shtetërore nuk reaguan ndaj kësaj çështjeje.
Në vitin 2020, TFL zhvilloi një analizë të politikave për nxitjen e lindshmërisë në Shqipëri. Raporti konstatoi se popullsia shqiptare po plaket me ritme të shpejta, lindshmëria po bie dhe ligji për shëndetin riprodhues është I mangët. Në përfundim, raporti arriti në konkluzionin se ndërgjegjësimi i menjëhershëm i institucioneve për të zbatuar politika afatgjata të shëndetshme është një emergjencë për shëndetin publik. Raporti u paraqit Avokatit të Popullit, i cili pranoi rëndësinë e kësaj çështjeje dhe nevojën për adresimin e menjëhershëm të këtyre problematikave.
Në nëntor të vitit 2022, gjatë diskutimeve për buxhetin e shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, TFL prezantoi disa nga gjetjet e raportit dhe propozoi krijimin e një qendre për fekondim in vitro si një mundësi të rëndësishme për individët dhe çiftet që përballen me infertilitet. Kjo kërkesë u reflektua në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë me produktin e quajtur “Cifte që përfitojnë nga paketa e fertilitetit”, e cila do të financohej me një fond total prej 1 milion lekësh. Megjithatë, në vitin 2022 nuk u ndërmor asnjë veprim konkret për fillimin e punimeve.
Në buxhetin e vitit 2023, ky produkt u hoq nga lista e financimeve. TFL iu drejtua me shqetësim Komisionit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në seancën dëgjimore të organizuar për buxhetin e shëndetësisë për vitin 2023. Ministria pranoi se kjo politikë do të vazhdonte përmes një projekti investimi në spitalin Koço Gliozheni. Më 24 maj 2023, Ministria e Shëndetësisë njoftoi në rrjetet sociale fillimin e zbatimit të projekteve të reja në Maternitetin “Koço Gliozheni” për ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës së I-rë publike të Riprodhimit të Asistuar (FIV). TFL është entuziaste për këtë arritje pas një pune shumëvjeçare avokuese, por do të monitorojë vazhdimisht punën e MSHMS deri në përfundimin e punimeve.
*Linqe me rëndësi:
https://shendeti.com.al/deshtimi-i-projektit-in-vitro-prej-tre-vjetesh-projekti-qendron-pezull/
https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2022/02/Normat-e-uleta-te-lindshmerise-dhe-tkurrja-e-popullsise-se-Shqiperise-ne-shifra.pdf
https://us13.campaign-archive.com/?u=0ç33838650039d96bd617cdd&id=e28ea5c6d3
https://www.facebook.com/watch/?v=1158145164794429
https://www.facebook.com/watch/?v=4449215735194049