Në vijim të #16Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, u organizua një ndër aktivitetet më të veçanta dhe më të shumëpritura me të rinjtë e Lezhës.
Performanca e teatrit të rrugës e realizuar në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Lezhë, e shprehur fuqishëm përmes gjuhës së trupit dhe detajeve të interpretimit të përzgjedhura me kujdes, rrëmbeu vëmendjen e të gjithë të pranishmëve në sallë.
Të ideuar në tri skenarë të ndryshme të përditshmërisë mbi tematikën e dhunës me bazë gjinore dhe sfidave që e shoqërojnë, u ndërthurën mesazhe të thella mbi respektin, barazinë gjinore dhe solidaritetin.
Në përmbyllje, pankartat e krijuara nga vetë të rinjtë na frymëzuan me mesazhe të forta kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje!
Po ashtu, pjesëmarrësit u ftuan të realizonin fotografi në kornizën e vendosur në hapësirën e jashtme të Biblotekës në Lezhë nën sloganin global “Investoni për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave”.
Ky aktivitet, vijoi pas Forumit të Hapur me temë “Fuqizojmë Gratë – Fuqizojmë Komunitetin”, organizuar nga Organizata Të Ndryshëm dhe të Barabartë” në mjediset e Biblotekës së qytetit me përfaqësues nga vendimmarrësit lokalë, shoqëria civile dhe pjesëtarë të komunitetit të Lezhës.
Aktiviteti është pjesë e programit “Fuqizojmë Komunitetin”, me financim nga USAID dhe zbatuar nga UNDP Albania në bashkëpunim me Bashkia Lezhe dhe organizatën Different & Equal, Shoqata Together for Life dhe Nisma për Ndryshim Shoqëror, ARSIS.