Shoqata Together for Life, me mbështetjen e UN Women organizoi trajnimin e parë me gazetarë të aktualitetit dhe politikës me qëllim rritjen e kapaciteteve në fushën e barazisë gjinore, me fokus të veçantë në raportimin gjinor në zgjedhje. Në këtë trajnim u diskutua roli i medias në përfaqësimin e grave dhe ndikimin që ka pjesëmarrja e tyre në politikë.
Në pjesën e parë të trajnimit, Alma Lahe eksperte ligjore, u përqendrua në analizën e legjislacionit dhe standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare që promovojnë barazinë gjinore. Pjesëmarrësit u njohën me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe qasjen e BE-së ndaj barazisë gjinore, duke e nënvizuar se përfshirja dhe integrimi i perspektivës gjinore është një detyrim për vendet anëtare. Në të njëjtën kohë, u diskutua edhe progresi që Shqipëria ka bërë në hartimin e legjislacionit që njeh dhe garanton të drejta të barabarta për gratë dhe burrat.
Pjesa e dytë e trajnimit u drejtua nga Valbona Sulçe, eksperte e medias dhe komunikimit, e cila u përqendrua në ndryshimet e ligjit për mediat audiovizive lidhur me seksizmin, prodhimin e artikujve me fokus gjinor, dhe sfidat e disinformimit, kërcënimit dhe bullizmit online për politikanët. Ekspertja Sulçe vuri në dukje se raportimi me perspektivë gjinore nuk duhet të përjashtojë burrat, por t’i përfshijë të gjitha perspektivat në një mënyrë të barabartë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e marrjes parasysh të dallimeve mes grave dhe burrave në raportimet për të siguruar informacion të rëndësishëm për të dyja gjinitë.
Aktiviteti përfundoi me diskutime për rolin që media mund të luajë në përmirësimin e përfaqësimit të grave në politikë dhe në zgjedhje. Pjesëmarrësit u inkurajuan të vazhdojnë të aplikojnë praktikat më të mira të raportimit gjinor që kishin mësuar gjatë trajnimit në punën e tyre të përditshme. Diskutimi u zhvillua edhe rreth organizimit të një trajnimi të dytë dhe mundësive për të vazhduar bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin mbi çështjet e rëndësishme të barazisë gjinore.